Ku do të ishte skuadra nga Nju Jorku nëse ky lojtar do të ishte i vaksinuar? Bruklin Netsat kanë fatin që në përbërje të tyre të jenë Kajri Irving dhe Kevin Duranti, por i pari mund të luajë vetëm në ndeshjet jashtë fushe. Irvingu 29-vjeçar e tregoi veten sesa vlen duke vendosur rekordin e karrierës, me 60 pikë të shënuara në një ndeshje, në fitoren 150-108 në Orlando. Jo vetëm kaq, por ai vendosi edhe rekordin e klubit, pasi asnjë lojtar i Bruklinit në histori nuk kishte arritur deri në 60. Irvingu shënoi 41 pikë në pjesën e parë të ndeshjes, pra pas 24 minutave deri në pushim, duke qenë më i miri në këtë statistikë që nga viti 2003 kur i paharruari Kobi Brajant shënoi 42 pikë për Lejkërsat.
Kjo shifër është baraz me atë të legjendarit Uilt Çembërlen në vitet 60-të kur vendosi rekordin e NBA-së me 100 pikë në një ndeshje. Irvingu pati kohë edhe për gjëra të tjera sepse kapi 6 topa në tabela, shërbeu 4 asiste, vodhi 4 topa dhe bllokoi 1 gjuajtje. Ai vetë e humbi topin vetëm një herë, një nivel shumë i lartë, ndërsa shënoi 8 nga 12 koshat për tri pikë që provoi. Pavarësisht fitores së thellë, Bruklini është vetëm në vendin e 8-të në Lindje, pra jo në zonën e sigurt të plej ofit. Duranti ka qenë shpesh i dëmtuar, ndërsa Irvingu do të ulet në stol që në ndeshjen e radhës, atë në Nju Jork ndaj Dallasit për shkak se nuk është i vaksinuar.
Sfidanti.al