Në Shqipëri thuhet se në shtetet kryesore të Europës mbahet radhë për të gjetur një vend si ambasador në vendin tonë. Kjo duhet të ketë arsye të forta, e nuk besohet se ndodh nga rroga më e lartë apo perspektiva për të jetuar në një vend të vogël e në një qytet të pajetueshëm si Tirana. Arsye të forta duhet të ketë edhe që futbolli europian “mban radhë” për të ardhur në Tiranë e për të dalë në fotografi me kreun e Federatës sonë, apo edhe me kryeministrin Edi Rama. Nuk dihet nëse 3 specialistët e UEFA-s që mbërritën për “kontroll të befasishëm” kanë mbajtur radhë apo thjesht janë urdhëruar për t’i hipur avionit e për të vuajtur disa ditë në kryeqytetin e ndotur të Shqipërisë!
Me shumë gjasë mund të jetë kjo e dyta, ndonëse shqiptarët e kanë treguar që në vitet 80-të mikpritjen me arbitra ndërkombëtarë në futboll apo volejboll. Presidenti i FSHF-së ka krijuar të njëjtin zakon si kryeministri, sepse që të dyve duket se “rrënjët e pushtetit” u ndodhen jo në “popull”, porse në disa zyra okulte, të cilat mund të jenë në Nion e Zyrih, ashtu siç mund të jenë në Uashington, Berlin apo Bruksel. Në fund të fundit, mbetet shprehja që e përdorin të gjithë, “o popull, sa shumë gjëra bëhen në emrin tënd”.
Sfidanti.al