Bruklini me pretendime ka 7 humbje radhazi në NBA

Në Arenën e Solt Lejk Sitit duhet pranuar se nuk ishte versioni më i mirë i kësaj skuadre. Bruklin Netsat, të formuar me shpenzime të mëdha dhe duke pasur pretendime po kaq të mëdha, duket se po ndjekin shembullin e Los Anxhelos Lejkërsave (gjithashtu të ndërtuar me shpenzime kolosale), sepse po zbresin gjithnjë e më shumë në renditjen e NBA-së. Disfata në fushën e Juta Xhazit ishte e 7-ta radhazi, dhe pse këtë herë në parket nuk ishin Kevin Duranti dhe Xhejms Hardeni. Vetëm Kajri Irving mbeti nga treshja e madhe, por edhe ky u paraqit dobët në humbjen 102-125. Irving shënoi vetëm 15 pikë në mbi 31 minuta, me 3 topa në tabela e 6 asistë e duke gabuar shumë në gjuajtje me saktësi vetëm 30 për qind nga loja! Zëvendësuesi Kam Tomas shënoi 30 pikë dhe ishte i vetmi që e mbajti ekipin “në krahë”. “Ne duhet vetëm të mbajmë gojën mbyllur e të punojmë”, – tha Hardeni. Juta Xhazi pati sërish në ekip yllin kryesor, Donovan Miçëll i cili shënoi 27 pikë e shtoi 6 asistë, Bojan Bogdanoviç luajti shumë mirë me 19 pikë, 11 topa në tabela e 4 asistë, Uajtsajd shtoi 15 pikë e Konlei 14. Juta Xhaz është në vendin e 4-ët në Perëndim, ndërsa Bruklini është i 6-ti në Lindje.

Sfidanti.al