Morant e Jokiç përplasen, Memfisi ia del në Denver!

Ishin përballë dy kandidatë për çmimin e lojtarit më të mirë të sezonit, dhe po ashtu dy skuadra pretendente për titull. Xha Morant arriti të dalë fitues ndaj Nikola Jokiçit, madje në Denver, sepse Memfis Grizlis fitoi 122-118. Një përballje shumë e fortë që u zgjidh në fund, ndërsa Morant shënoi 38 pikë, kapi 6 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, plus 2 vjedhje topi, ndonëse edhe vetë e humbi topin 6 herë. Kjo ia uli notën përfundimtare. Jokiç u përgjigj me tripëll dabëll, që ishte i katërti radhazi dhe i 68-ti në karrierë, ndaj edhe basketbollisti serb mund të mendojë që të kalojë edhe ai Oskar Robertsonin e të luftojë me rekordin e Rasëll Uestbrukut. Jokiç shënoi 26 pikë, kapi 11 topa në tabela e shërbeu 12 asistë, pati 2 vjedhje topi, 1 bllokim gjuajtjeje, dhe vetëm 3 humbje topi personalisht. Në tërësi, Memfisi e tregoi veten më shumë skuadër, duke shfrytëzuar më shumë elementin asist, ndërsa Denveri nuk pati ndihmën e duhur nga lojtarët e stolit. Në renditje, Memfisi është i treti në Perëndim me 32 fitore e 16 humbje, ndërsa Denveri i 6-ti po në këtë Konferencë me 23 fitore e 21 humbje.

Sfidanti.al