Lebron-Karmelo, dyshja e artë e veteranëve shkëlqen për Lejkërsat!

Duket se prisnin ardhjen e tij. Lebron Xhejmsi nuk zhgënjeu në rikthimin nga dëmtimi, dhe Los Anxhelos Lejkërsat e ndjenë ndryshimin në krahasim me ndeshjet e kaluara. i mbiquajturi “Mbreti” i basketbollit bëri një paraqitje të nivelit të lartë, në krah të Karmelo Entonit, pikërisht 19 vjet pasi këta dy yje nisën karrierën e tyre në NBA. Lebroni shënoi 26 pikë, duke shtuar 3 topa në tabela 8 asistë dhe 3 vjedhje topi, ndonëse pati 7 humbje topi, dhe kjo ia uli notën mesatare. Entoni, edhe pse ishte fillimisht në stol, shtoi 24 pikë në pak më shumë se 24 minuta lojë, ndërsa Lejkërsat e ndanë barrën e punës në fitoren 113-101 ndaj Klivlendit.

Entoni Dejvis realizoi 15 pikë, si dhe pati 9 topa në tabela, ndërsa Rasëll Uestbruk kontribuoi me 19 pikë, 6 topa në tabela e 5 asistë. Xhejmsi pati një tjetër përballje emocionuese ndaj ekipit me të cilin nisi karrierën dhe me të cilin fitoi titullin në 2016. Nuk ishte një sukses i lehtë, pasi Klivlendi vinte në “Stejpëll Sentër” pas tri fitoreve radhazi, ndërsa kryesoi vazhdimisht deri pranë fundit të periudhës së tretë. Në fund, Lebroni dhe Karmelo u duk sikur kishin një jetë që luanin bashkë, ndonëse e bëjnë këtë vetëm prej pak ndeshjeve. Lejkërsat ende nuk janë aty ku duhet, me tri fitore e tri humbje, larg Juta Xhazit apo Golden Stejtit, por sezoni sapo ka nisur.

Sfidanti.al