Diçka më shumë se 21 000 tifozët në stadium kishin ardhur për të parë e mbështetur ekipin e tyre, por gjithsesi, paratë e biletës dhe koha e shpenzuar nuk u shkuan kot. Vërtet u mund Uatfordi vendas, por Liverpuli dha një spektakël të denjë për ta ndjekur me vëmendje, ku shkëlqyen mbi të gjithë dy emra, Roberto Firmino dhe Mohamed Salah. Edhe pse portieri titullar, Alison, e mesfushori Fabinjo nuk ishin, kjo nuk prishi asnjë lloj punë sepse skuadra e Jurgen Klopit triumfoi 5-0 me epërsi dërrmuese: 77 për qind zotërim topi, 18 gjuajtje në portë (6 Uatfordi) dhe 7 në kuadrat (2). Kornet ishin 9-1 për të kuqtë.
Firmino shënoi 3 gola dhe ishte i shkëlqyer në zotërimin e topit, ndërsa Mo Salah e tregoi sërish formën e tij të jashtëzakonshme duke shënuar një tjetër gol, e çfarë goli. Ishte sërish një aksion individual duke bërë lëmsh mbrojtjen e Uatfordit. Golin e parë e shënoi Sadio Mane, ndërsa ekipi i Klopit është pretendent për titull pa bërë blerjet e çmendura të Sitit, Çelsit apo Junajtidit. Liverpuli ka tani 18 pikë (5 fitore, 3 barazime, 0 humbje) dhe golaverazhin e shkëlqyer 22-6, pra plus 16.
Liverpuli: Keleher, Aleksandër-Arnold (Okslejd-Çembërlen), Matip, Van Dajk, Robertson (Cimikas), Milner (N. Uilliams), Henderson, Keita, Salah, Firmino, Sane. Tr. Klop
Sfidanti.al