Nja 10 ditë më parë fatkeqësia e rivalit i lejoi që të fitonte më lehtë se zakonisht dhe po ashtu shmangu ndonjë aksident të mundshëm. Ljuis Hamilton triumfoi në Çmimin e Madh të Rusisë në Soçi edhe sepse Maks Verstapni i Red Bullit u nis nga vendi i fundit (dhe përfundoi i dyti) për shkak se skuadra u detyrua t’i ndërronte motorin e makinës. Kjo ndihmoi Hamiltonin që të ngjitej në krye të renditjes së Botërorit të Formula 1, me 2 pikë më shumë sesa holandezi. Gjithsesi, njoftimet nga Mercedesi janë që skuadra gjermane mund të jetë e detyruar të bëjë pikërisht të njëjtën gjë si Red Bulli, t’ia ndërrojë motorin makinës njëvendëshe të Hamiltonit. Kjo do të bënte që kampioni i botës të nisej nga vendi i fundit këtë të diel në Çmimin e Madh të Turqisë në Stamboll, dhe vetëm ndonjë mrekulli do ta ndihmonte për të fituar ose për të mbajtur vendin e parë në renditje.
Sfidanti.al