Thonë se kur Partizani të vërë këmbë si zot shtëpie ne “Selman Stërmasi”, do të ndodhë “eklipsi” i futbollit në kryeqytet. Ndryshe nga bëma e derbit kur u fikën dritat dhe futbolli meritoi errësimin, sot, ndeshja që do të luhet ditën, mund të prekë edhe..natën. Superliga ka një sebep special me rastin e ndeshjes Partizani-Vllaznia, ngaqë më në fund po bie edhe “kalaja” e fundit, stadiumi “Selman Stërmasi”, aty ,ku mund të bëhej çdo gjë, edhe kongres fetar, me përjashtim vetëm të një rituali, ku Partizani të pristë miqtë në këtë stadium. Një stadium që do të blindohet me 300 forca policie, për të treguar se topi ka humbur misionin në anët tona, dhe më shumë shkakton frikë dhe pasiguri, sesa dëfren dhe bashkon miqësi si dikur. Atëherë, kur edhe policët, uleshin midis tifozëve dhe gëzonin golat duke tundur kapelën, pa e ditur dhe pa i shkuar në mëndje se ditë më të këqia do të vinin.
Sa herë që blindohet futbolli, si në ndeshjet e Kombëtares me Sërbinë dhe me Izrealin, ku flitet për skema policie dhe jo për skema loje, ku ndeshja e vërtetë nuk është ajo e fushës, por ajo e rrugës, futbolli ka humbur qetësinë e shpirtit dhe mbijeton deri në frymën e fundit, më shumë për lojatarët e zyrave, sesa për ata të fushës. Ata që na thonë se jemi me fat që po jetojmë në kohën e artë të ndertimit të stadiumeve “më të bukur në Ballkan”, pa e vrarë mëndjen se kryeqytetit po i bëhet mollë sherri i vetmi stadium që ka, ku më i lodhur se vetë ai , po tregohen njerëzit që e rrethojnë.
Sfidanti.al