Mesi apo Ronaldo? Oksfordi le të merret me matematikën e vaksinën, jo me futbollin

Krahasimi i legjenave të epokave të ndryshme është një punë tepër e vështirë që, në fund të fundit, nuk ka asnjë bazë praktike, por thjesht perceptim, ndonëse shpesh mund të goditet në shenjë. Në sporte të ndryshme pyetet kush është më i madhi, Latinina apo Komaneçi në gjimnastikë, Felps apo Spic në not, Karl Ljuis, Usain Bolt apo Sergej Bubka në atletikë, Lebron Xhejms apo Majkëll Xhordan në basketboll? Edhe futbolli është në këtë vorbull, dhe Universiteti i lavdishëm i Oksfordit paska bërë një përpjekje me profesorin matematicien, Doktor Tom Krouford (Crawford), duke nxjerrë Kristiano Ronaldon në vend të parë, dhe Mesin e Pelenë pas tij. Për matematicienin që ka nisur të shohë ëndrra futbolli, Maradona nuk bën pjesë në këtë piedestal. Ndoshta Doktor Kroufordi do të bëjë mirë të merret me punën e tij dhe t’ia lerë tifozëve këtë perceptim, ndërsa një futbollist nuk del më i miri sepse ka fituar më shumë trofe apo ka shënuar më shumë gola. Nëse flasim për më të mirët në histori, kjo mund të gjendet mes Maradonës, Peles dhe Mesit.

Sfidanti.al