Si kthehet Xhejms Hardeni në Hjuston? Me një tripëll dabëll!

Në shpinë ai mbante numrin 13, ndërsa në përfundim të ndeshjes, ishte shkaktari kryesor që ish-skuadra e tij pësoi humbjen e 13-të. Xhejms Harden u kthye për herë të parë si kundërshtar në Hjuston, aty ku luajti për 8 sezone, duke realizuar një tripëll dabëll e duke u larguar me fitore. “Mjekra” pati 29 pikë, 10 topa në tabela e 14 asistë në fitoren 132-114, ndërsa Bruklin Netsat arritën fitoren e 7-të radhazi jashtë fushe (një rekord i klubit). Po ashtu, ata kanë 10 fitore në 11 ndeshjet e fundit.

“Gjithçka po shkon më së miri, nga “a”-ja tek “zh”-ja, – tha Harden, – kjo është arsyeja që erdha këtu”. Bruklin mund të fitojë titullin në NBA, ndërsa është shumë pranë kreut në Konferencën Lindore, vetëm me Filadelfian që ndodhet mbi të. Në fillim pati vërshëllima kundër tij nga mbi 3 000 spektatorët në Arenën e Hjustonit, por dalë nga dalë pati më shumë duartrokitje. Bruklini luajti ndeshjen e 9-të pa Kevin Durantin, kthimi i të cilit do ta forcojë edhe më shumë ekipin. Në fushë ishte Kajri Irving që shënoi 24 pikë, ndërsa Xho Harris shtoi 19.

Sfidanti.al