Lebron nuk merret vetëm me Ibrën, ndihmon Lejkërsat që të fitojnë

Detyra e tij e parë ishte të dilte në fushë dhe të fitonte. Lebron Xhejmsi e bëri një gjë të tillë, duke ndihmuar Los Anxhelos Lejkërsat që të mos pësonin një humbje tjetër, ndërsa më pas u detyrua të fliste për diçka tjetër. Pasi shënoi 28 pikë, kapi 11 topa në tabela, shërbeu 7 asistë, vodhi 4 topa e bllokoi 3 gjuajtje në fitoren ndaj Portlendit, i mbiquajturi “Mbreti i basketbollit”, komentoi kritikën që ylli i futbollit, Zllatan Ibrahimoviç kishte bërë ndaj tij.

Gjithsesi, përtej aktivizmit, 36-vjeçari duhet të bëjë punën e tij si profesionist për të cilin ka firmosur një kontratë. Ai ia doli mbanë duke i dhënë fund serisë negative të kalifornianëve, ndërsa Entoni Dejvis vazhdon të jetë mungesë. Fitorja ishte 102-93 në “Stejpëlls Sentër”. Të paktën, në krah të Lebronit u kthye gjermani Denis Shrëder që gjithashtu ka qenë i dëmtuar dhe që shënoi 22 pikë.

Lebroni ndihmoi Lejkërsat të fitonin 102-93 ndaj Portlendit, duke i dhënë fund një serie prej 4 humbjesh. Lejkërsat janë kampionë në fuqi të NBA-së dhe një nga pretendentët për të fituar sërish titullin. Në debatin me Ibrën, Xhejmsi mbrojti aktivizmin e tij për të drejtat e njeriut, sidomos të zezakëve.

“Unë nuk do ta mbyll kurrë gojën për gjërat që janë gabim, – tha Lebroni, – unë predikoj për njerëzit e mi, për barazinë, drejtësisë shoqërore, racizmin, shtypjes së votuesit, gjëra që ndodhin në bashkësinë tonë. Unë përdor emrin tim për të hedhur dritë mbi gjithçka ndodh në këtë vend dhe në të gjithë botën. Nuk ka asnjë mënyrë që unë thjesht të merrem me sportin, sepse unë e di sesa e fuqishme është ndihma që mund të jap unë, sesa i fuqishëm është zëri im. Vetë Ibrahimoviçi foli dikur për racizmin ndaj tij në Suedi. i bie që unë jam djalë i keq sepse po bëj detyrën time”.

Lebroni, ashtu si mjaft yje të NBA-së kanë qenë ndër më aktivët për të mbështetur lëvizjen “Jeta e zezakëve vlen”, duke akuzuar policinë amerikane për dhunë e racizëm, si dhe sistemin gjyqësor në Shtetet e Bashkuara se nuk bën detyrën për të mbrojtur zezakët. Një kulm ishte ai i vitit të kaluar pas disa vrasjeve dhe vendimeve gjyqësore.

Sfidanti.al