“L’Ekip” sulmon “oligarkun” Anjeli për Superligën europiane!

Se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, ndoshta të afërt, nuk mund ta parashikojmë me saktësi, por tendenca është ajo e përgjithshmja, “peshku i madh e ha të voglin”. Kështu po ndodh edhe me futbollin europian të klubeve që është në prag të një “lufte civile”, në të cilën mediat sportive ende marrin krahun e traditës dhe të të voglit. E përditshmja e shquar franceze, “L’Ekip” sulmon presidentin e Juventusit, Andrea Anjeli, si njëri nga njerëzit më të vendosur për projektin e Superligës europiane, që do të mblidhte më të fuqishmit e kontinentit për të luajtur së bashku, e për të braktisur të tjetër. Një lloj “Uoll Striti” futbollistik, ashtu si në Bursën e Nju Jorkut, ku 500 kompanitë më të mëdha amerikane, plus të mëdhatë e tjera të botës, mblidhen për të bërë politikë përfitimi të përbashkët, pa dashur të pengohen nga kufijtë, dhe nga qeveritë që mund të mbështesin elektoratin e tyre.

“Sporti më universal i planetit, – shkruan “L’Ekip”, – është konfiskuar nga një kastë para së cilës institucionet përkulen nga frika se mos dalin nga loja dhe nuk mundet pastaj të ndajnë përfitimet. UEFA është shumë e dobët për të rezistuar, e ka humbur fuqinë e saj. Superliga europiane do të mohonte thelbin, kulturën dhe historinë e futbollit të kontinentit. Një vit më parë, Andrea Anjeli president i Juves, një nga njerëzit që i bën më shumë keq futbollit, deklaroi me qetësi se prania e Atalantës në Champions ishte e padrejtë. E dimë, ndërkaq, se çfarë është e padrejtë dhe e rrezikshme për futbollin, që është ai që skicon futbollin europian të së nesërmes, së bashku me disa miq të tij”. Pra, akuzë direkte Anjelit për “oligarkizëm” dhe për monopol, diçka që në SHBA e njohin mirë që nga fundi i shekullit të 19-të.

Sfidanti.al