NBA, Leonard kërkon të bëjë Klipersat po aq të fortë sa Lejkërsat e Lebronit!

E ka provuar se çfarë është titulli dhe dëshiron ta shijojë sërish. Kauaj Leonard, padyshim një nga yjet kryesorë të basketbollit amerikan, duket plotësisht i përshtatur tek Los Anxhelos Klipersat në sezonin e dytë në ekip, siç e tregoi në fitoren ndaj Oklahomës. Basketbollisti me numrin 2 në fanelë shënoi 34 pikë dhe iu afrua një tripëll dabëlli duke udhëhequr ekipin drejt fitores 108-100.

Ishte suksesi i 7-të radhazi i kalifornianëve dhe i dyti radhazi ndaj të njëjtit kundërshtar. Leonardi shtoi edhe 9 topa në tabela e 8 asistë, në një nga paraqitjet më të mira të sezonit. Kjo vlejti shumë sidomos në një mbrëmje kur ylli tjetër i ekipit, Pol Xhorxh, nuk ishte edhe aq i frymëzuar duke shënuar vetëm 11 pikë. Një ndihmë u dha nga Ibaka, Batym dhe Zubac, ndërsa Oklahoma edhe pse luftoi fort nuk mundi ta përballonte kundërshtatin superior. Me largimin e të tillëve si Uestbruk dhe Durant, kjo skuadër nuk mund të pretendojë maksimumin.

Klipersat po zhvillojnë, ndërkaq, një sezon shumë të mirë, duke qenë në krye të Konferencës Perëndimore me 13 fitore e 4 humbje, i njëjti bilanc si Lejkërsat e Lebron Xhejmsit. Klipersat mund të mburren se e fituan derbin e parë të sezonit ndaj Lejkërsave, ndonëse parashikimet nuk i japin si favoritë për të fituar titullin. Leonard është shpallur kampion i NBA-së në 2014 me San Antonion dhe në 2019 me Toronton, pra synon trofeun e tretë në karrierë.

Sfidanti.al