Trajnerin që doli kampion me Portugalinë, Fernando Santosin, e quajti dikur “një gomar që nuk u bë dot kalë”, Klaudio Ranierin e talli kur ishte trajner i Interit, ndërsa Arsen Vengeri mund të quhet armiku klasik. Gjithsesi, me përmirësimin e rezultateve të skuadrës së tij, Zhoze Murinjo gjeti edhe një kundërshtar tjetër. Ky është Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit, me të cilin u ndesh mbrëmjen e djeshme duke dalë barazim në “Old Traford”.
Lufta psikologjike kishte nisur që përpara ndeshjes, me Murinjon që deklaroi se “Klop nuk është aq i qetë sa unë”, dhe me përgjigjen e gjermanit që ishte: “Më jepni 11 lojtarë në fushë dhe unë nuk do të jem inferior ndaj askujt”. Përballja, në mënyrë të natyrshme, e rriti tensionin dhe pranë fundit të ndeshjes, dy trajnerët u ndodhën ballë për ballë, pas një konflikti të vogël mes dy prej lojtarëve. Nuk pati shtyrje, si disa kohë më parë mes Vengerit e Murinjos, ndërsa gjyqtari i katërt bëri rolin e paqeruajtësit.
Polemikat vazhduan pas përballjes. Në konferencën për shtyp, Murinjo vlerësoi Liverpulin si skuadër që di të menaxhojë një ndeshje, por shtoi se “ishim ne ata që sulmuam, ndërsa Liverpuli ishte ekipi që u mbrojt, le të dëgjojmë se çfarë do të thonë kritikët tani”. Përgjigja e Klopit sërish nuk vonoi. “Mançester Junajtid vërtet sulmoi, por luajti lojën e vjetër me topat e gjatë drejt portës sonë”, – ishte shigjeta e tij për portugezin.