Renditja e FIFA; Belgjika skuadra më e mirë e vitit

Në vitin 2019 u zhvilluan 1082 ndeshje ndërkombëtare, numri më i lartë që nga momenti kur FIFA filloi të përpilojë renditjen e saj në vitin 1993. e kundërta ndodhi në 2020 kur u luajtën vetëm 352 ndeshje. Nuk ndodhte që nga 1987 që nuk zhvilloheshin kaq pak sfida në një vit kalendarik. Dhe ndonëse në vitin 2020 futbolli u ndal për një kohë të gjatë për shkak të pandemisë Coronavirus, Belgjika arriti të konfirmohet sërish si skuadra më e mirë e vitit duke mbrojtur këtë titull për të tretin vit radhazi.

Me 6 fitore në 8 ndeshje të luajtura në 2020, Red Devils nuk janë të vetmit që shohin se pozicioni i tyre nuk ka ndryshuar. Ndjekësit më të afërt të belgjikës janë Franca në vendin e dytë, Brazili në të tretin dhe Anglia në të katërtin që konfirmohen në këto pozicione. I vetmi ndryshim në pesëshen më të mirë të renditjes së FIFA është prania e Portugalisë në vendin e 5 e ndjekur nga Spanja në të 6, Argjentina në të 7 me këto dy të fundit që kanë regjistruar përmirësime në klasifikimin e tyre në krahasim me 2019. Uruguaji është i 8, ka rënie por mbetet në Top-10, ndërsa Meksika dhe Italia zënë vendet e 9 dhe të 10.

Skuadra me progresin më të mirë në 2020 është Hungaria që ngjiti 12 shkallë për t’u përfshirë në Top-50 duke u pozicionuar në vendin e 40. në 8 ndeshje të zhvilluara në 2020, skuadra hungareze ka humbur vetëm 1 ndeshje, atë kundër Rusisë, ndërsa një seri rezultatesh pozitive i dhanë mundësinë asaj që të sigurojë pjesëmarrjen në UEFA EURO 2020.

sfidanti.al