Hej Kuman, Luis Suarez e sheh nga maja Barcelonën tëndë!

Kur ai u caktua trajner në “Kamp Nou”, puna e parë që bëri ishte të lajmëronte në telefon sulmuesin uruguajan se nuk e kishte në planet e tij. Ronald Kuman nuk gjeti mënyrë më të mirë për të larguar një legjendë të Barcelonës si Luis Suarez, përveçse me një bisedë virtuale 60-sekondëshe. Kjo ishte e para, ndërsa e dyta ishte përplasja me Lionel Mesin, të cilit i kujtoi se nuk do të kishte privilegje.

Dakord, askush nuk duhet të ketë privilegje, si parim, por sot jemi në momentin kur Suarezi dhe Atletiko e tij e shohin Barcelonën e Kumanit nga maja e renditjes, ndërsa katalanasit janë vetëm tri pikë larg zonës së rënies nga kategoria. Humbja në fushën e Kadisit ishte e rëndë, duke bërë që skuadra e sapongjitur në La Liga të dilte në vend të 5-të, ndërsa Barça e 7-ta.

Atletikoja e Suarezit nuk ka asnjë humbje në kampionat, dhe pas fitores 2-0 ndaj Vajadolidit (golat nga Lemar dhe Jorente), ka 8 fitore e 2 humbje, që do të thotë 26 pikë, 12 më shumë sesa Barcelona që ka luajtur madje një ndeshje më shumë. Nëse skuadra e trajnerit Simeone nuk ka asnjë humbje, ajo e Kumanit ka 4 dhe nuk dihet sesa do të vijnë më pas. Vërtet që golaverazhi katalanas nuk është i keq, 20-11 (ndaj 17-12 të Realit, p.sh.), por kjo është një statistikë e gënjeshtërt. Nuk dihet sesa do ta shtyjë trajneri holandez në “Kamp Nou”, ndërsa rezultatet e mira në Champions nuk mjaftojnë dhe gjendja pritet të ndryshojë kur të vijnë përballjet e forta në pranverë.

Sfidanti.al