Nuk mjaftojnë dy qendërmbrojtës si Van Dajk e Gomez që kanë bërë operacion dhe kanë mbyllur sezonin (i pari, po se po)! Nuk mjafton dëmtimi i Trent Aleksandër-Arnoldit apo gjendja jo aq shumë e mirë fizike e Zhoel Matipit? Po mungesa deri tani e Tiago Alkantarës mos është pak? Gjithsesi, “ferri” për Liverpulin këtë sezon i paska hapur dyer katërkanatësh dhe ja ku vjen lajmi se Jurgen Klopi humbi edhe një yll. E çfarë ylli! Mohamed Salah ka dalë pozitiv me koronavirus dhe do të duhet të jetë të paktën për një javë apo 10 ditë në Egjipt, përpara sesa të kthehet në Angli. Për momentin, egjiptiani ka humbur ndeshjen e kombëtares ndaj Togos, por gjithashtu edhe dy sfida të Liverpulit, atë ndaj Leisterit në Premier Ligë (tepër e rëndësishme) dhe kundër Atalantës në Champions. Shënuesi më i mirë i të kuqve këtë sezon, me 8 gola, ishte në Kairo në dasmën e vëllait të tij ku edhe kërceu e gëzoi, por siç duket edhe kontaktoi virusin. Klopit i mungojnë në apel 7 lojtarë, përfshi edhe Fabinjon dhe Okslejd-Çembërlenin.
Sfidanti.al