Pike vërtet ul rrogën përgjysmë, por “i hyn vendçe” Barcelonës!

Kapiteni është Mesi, por njeriu që e ndjen më shumë fanelën është padyshim ai. Gerard Pike bëri një gjest të madh duke pranuar uljen e rrogës jo 30 për qind, por përgjysmë, veçse madhështinë e vazhdoi duke folur hapur e duke e goditur klubin siç mendon se e meriton. Në një intervistë për të përditshmen “La Vangardia” (Vanguardia), mbrojtësi i qendrës nuk kursehet edhe pse ka mbetur vetëm 1 ditë deri në El Klasiko.

“Është barbaritet që klubi ka paguar për të na sulmuar, – është goditja e tij e parë, – aq më tepër, që me këtë punë merrej një njeri që punon në klub”. Goditja e dytë ishte për Mesin. “Si mundet që lojtari më i mirë i botës të arrijë deri aty sa të dërgojë një faks sepse nuk duan që ta dëgjojnë? – pyet Pikeja, – në të vërtetë “Kamp Nou” duhet të mbajë emrin e Mesit, ai e meriton”. Gjithsesi, kapiteni i dytë tregon se i dërgoi mesazh Mesit kur deshi të ikte duke i kujtuar se “pas një viti në drejtim do të jenë njerëz të tjerë”. Sulmi tjetër për klubin ishte që “njerëz si Guardiola, Ksavi, Pujol apo Valdes duhej të ishin këtu”. Së fundi, për shkarkimin e Valverdes Pikeja tha se “nuk mund të shkarkohet trajneri për humbje në Superkupë, ndërsa ka fituar dy tituj radhazi dhe kryeson kampionatin”.

Sfidanti.al