Një jetë e tërë e lidhur me futbollin, që nga mosha e fëmijërisë deri sa mbushi 72, por vjen një moment që njeriu lodhet. Marçelo Lipi ka deklaruar se nuk do të jetë më trajner, duke na lënë pas një trashëgimi nga më të mëdhatë e njerëzve të stolit. Italiani inteligjent filloi me sportin kur ishte i vogël tek Viarexho në Toskanë, aty ku edhe lindi, për të luajtur shumë e shumë vjet si mbrojtës i Sampdorias. Nuk e arriti dot kombëtaren e Italisë, por do të kishte takim me të në vitet e mëvonshme.
Në moshën 34 vjeç la futbollin (1982) dhe pasi punoi 3 vjet tek ekipet e të rinjve të Sampit, provoi shansin tek të rriturit. Dalë nga dalë u ngjit deri tek Napoli duke e kualifikuar për në Kupën UEFA, dhe në 1994 shkoi tek Juvja, duke i dhënë fund dominimit të Milanit të Fabio Kapelos në Serinë A. Në 1996 fitoi Championsin e dytë të Juventusit, pas atij të Trapatonit në 1985. Me Juven pati shumë suksese, jo edhe aq me Interin, ndërsa kulmin e karrierës e arriti me Italinë duke dalë kampion bote në 2006 (në foto me cigaren e përhershme). Vitet e fundit punoi me sukses në Kinë por tani tha “mjaft”, “addio”. Do ta shohim ndoshta në ndonjë rol tjetër.
Si trajner, Marçelo Lipi fitoi 20 trofe, ndërsa 18 ishin çmime individuale gjithashtu si trajner. Me 405 ndeshje si trajner i Juves, ai është trajneri i dytë më jetëgjatë tek Juvja, po ashtu trajneri i dytë më jetëgjatë me një klub në Serinë A, pas Xhovani Trapatonit. Të vetmit trajnerë që kanë fituar Championsin dhe Kupën e Botës, bashkë me Visente Del Bosken.
Sfidanti.al