Rikthehet magjia e Championsit me sfidat PSG-Man. Junajtid, Lacio-Dortmund e Çelsi-Sevilja!

Më vonë se normalisht, por tepër shpejt pas përfundimit të edicionit të kaluar. Liga e Kampionëve rikthehet me fazën e grupeve, e bashkë me të edhe emocionet e forta të kompeticionit numër 1 të klubeve në kontinent. Finalistja e sezonit të kaluar, Paris SG, do të ketë një përballje të ashpër në fushën e saj ndaj Mançester Junajtidit. Francezët nuk do të kenë Paredesin e Verratin, por Draklser dhe Markinjos kthehen, e dyshja Mbape-Nejmar pritet të jetë në formacion. Anglezët lanë në shtëpi kapitenin Megajer dhe sulmuesin Kavani, ndërsa mungon edhe Grinvud. Para dy vjetësh, Junajtid e eleminoi Paris SG edhe pse u mund 0-2 në “Old Traford”, por triumfoi 3-1 në “Park dë Prinses”.

Juventusi, pretendent i fortë për titull, do të ketë provën në fushën e Dinamos së Kievit, dhe me mungesën e madhe të Kristiano Ronaldos. Ylli portugez është ende i izoluar me koronavirus, ndërsa trajneri Pirlo duhet të zgjidhë çështjen e Paulo Dibalës. Argjentinasi nuk ka luajtur në kampionat dhe mund të mos jetë titullar as sot në orën 18:55, ndërsa Pirlo thotë se atij i duhet kohë pasi ka 3 muaj pa futboll.

Një sfidë shumë emocionuese është ajo Lacio-Dortmund. Gjermanët e trajnerit Favre kanë skuadër me shumë talent dhe ofensive, në formë të mirë në Bundesligë dhe me pretendime në Champions. Italianët e teknikut Inzagi vërtet nuk e kanë nisur mirë sezonin në Serinë A, por pikërisht për këtë pritet të reagojnë për t’u rehabilituar para tifozëve.

Dueli tjetër i fortë i mbrëmjes është ai Çelsi-Sevilja. Anglezët vlerësohen gjithnjë si të fortë në Europë, edhe pse duken të dobët në mbrojtje, siç e tregoi barazimi 3-3 bnë Premier Ligë javën e fundit ndaj Sauthemptonit. Sa për spanjollët, pavarësisht humbjes në fundjavë në La Liga, jo më kot janë fitues të Ligës së Europës në fuqi, pra me një nivel të lartë dhe ambicie të mëdha nën drejtimin e trajnerit Lopetegi.

Sfidanti.al