Lebron e Harden, dueli madhështor për titullin dhe “egoizmin”

Pasi shënoi 37 pikë në ndeshjen e fundit fituar nga ekipi i tij, Lebron Xhejm kaloi shifrën e 2 000 pikëve për këtë sezon (fazë e rregullt). Kjo është hera e 10-të në karrierën e tij të lavdishme që “Mbreti i basketbollit” arrin dhe kalon shifrën 2 000 në sezon, diçka që vetëm dy yje të mëdhenj e kanë bërë përpara tij. Ata ishin Karl Maloun (12 herë) dhe Majkëll Xhordan (10 herë).

Këto 37 pikë bënë që ai të jetë shumë pranë vendit të parë të shënuesve për këtë edicion, pozicion që mbahet nga ylli i Hjustonit, Xhejms Harden. “Mjekra” ka shënuar deri tani 2029 pikë, ndërsa Xhejms 2009. Harden ka mesatare më të mirë pikër për ndeshje, me 30.7 ndërsa Lebron është i treti me 27.5. Dy kampionët po ndeshen fort për titullin kampion si dhe për titujt individualë, sidomos për atë  të Lojtarit më të Mirë të sezonit.

Lebron, ndërkaq, vazhdon të mbetet në vendin e 7-të në renditjen e shënuesve të të gjitha kohëve në NBA, por duke iu afruar gjithnjë e më shumë Dirk Novickit dhe Uilti Çembërlenit. Madje, ai i ka të gjitha mundësitë të kalojë edhe vetë “Madhërinë” e tij, Xhordan, veçse ky i fundit do të mbetet i paprekshëm në një rekord. Ai i ka shënuar pikët e tij në shumë më pak minuta se të gjithë kampionët e tjerë, ndaj edhe ka mesataren më të lartë të të gjitha kohëve “pikë për ndeshje”.

Rekordi i “Air” Xhordanit është 30.12 pikë për ndeshje, ndjekur nga Çembërlen me 30.07, ndërsa Lebron Xhejms është në vendin e 4-ët me 27.16 pikë për ndeshje.

Sfidanti.al