Venger nuk pranon se koha e tij ka ikur, Arsenali gati listën e pasuesve

Arsen Venger jeton “sportivisht” me shpresën që të kthejë edhe një herë ditët e lumtura të tij tek Arsenali. Duket se kjo shpresë do të marrë fund deri në mbyllje të sezonit. Lajmet nga Anglia janë që drejtuesit e klubit kanë vendosur një cak, kualifikimin për në Champions edicionin e ardhshëm, dhe nëse kjo nuk ndodh, Venger do të shkarkohet.

Jo vetëm kaq, por siç ndodh rëndom në këto raste, bordi drejtues i londinezëve ka bërë gati një listë me zëvendësuesit e mundshëm. Flitet për trajnerin e Gjermanisë, Joakim Lëv, për trajnerin e Monakos, Leonardo Zhardim, për trajnerin e Sëlltikut, Brendon Roxhers, dhe për ndihmësin e Guardiolës tek Siti, Mikel Arteta, një ish-lojtar i Arsenalit.

Objektivi i vendosur për Vengerin është tepër i vështirë, thuajse i pamundur. Skuadra e tij ka 10 pikë më pak se Totenhemi i vendit të katërt në renditjen e Premier Ligës (45 ndaj 55), ndonëse ka luajtur një ndeshje më pak. Me formën që po tregojnë Totenhemi, Liverpuli  e Mançester Junajtid, është e zorshme që të mbërrihen.

Gjithsesi, problemi kryesor është vetë Vengeri 68-vjeçar, që duket i ezauruar nga nervat dhe që nuk po motivon dot më skuadrën. Ish-ylli i Arsenalit, Ian Rajt, bëri krahasimin që “rënia e Vengerit më ngjan me rënien e Brazilit kur Ronaldo u shëndosh”.

Sfidanti.al