Juventusi të mos shohë ëndrra, Pirlo ka nevojë për të hapur një epokë!

Le ta kuptojnë se sezoni është i destinuar për gjysmën zikaltër të Milanos, dhe se kampion i Italisë duhet të shpallet (me logjikë) Interi. Juventusi dhe trajneri i tij, Andrea Pirlo, natyrisht kurrë nuk e kanë pranuar këtë gjë si të përfunduar dhe as nuk do ta pranojnë, por faktet dhe realiteti janë kokëfortë. Barazimi i kampionëve në fushën e Veronës, këtë të shtunë në darkë ishte prova e radhës se Pirlo ka nevojë për kohë për të krijuar ekipin e ideve të tij, me lojtarët e tij, dhe pra që të hapë një epokë.

Në “Bentegodi” nuk mjaftoi goli i të zakonshmit Kristiano Ronaldo (ndonëse këto kohë ka pasur kritika edhe për të). Verona barazoi në 78’ me anë të golit të shënuar nga Barak, që iu shmang vëmendjes së Aleks Sandros. Jo vetëm kaq, por më pas veronezët mund të kishin shënuar golin e dytë. Juventusi e nisi shumë mirë ndeshjen me 7 gjuajtje në 15 minutat e para, por pastaj nisi të “shuhej” dhe Verona goditi shtyllën në pjesën e parë. Mesa duket, “Zonjës së Vjetër” i mungon “benzina” për deri në fund, me lojtarë të lodhur edhe për shkak të dëmtimeve, por edhe me pak “oreks” pas 9 titujve radhazi. Juvja ka 46 pikë, duke qenë 7 pikë prapa vendit të parë të Serisë A që mbahet nga Interi.

Sfidanti.al