Mos vallë do të ndodhë mrekullia këtë vit në futbollin portugez?!

Diktatura e “triumviratit” në këtë vend është edhe më e madhe sesa ajo e “derbit të përjetshëm” të Skocisë. Benfika, Porto dhe Sportingu kanë fituar të gjithë titujt në ligën e Portugalisë, me përjashtim të dy rasteve, ndërsa këtë sezon është ngritur pyetja: Mos vallë do të rrëzohet “triumvirate” dhe një “diktator” i ri do të dalë në skenë? Për momentin duket sikur është kështu, pasi kampionati kryesohet nga skuadra pa emër e Famalikaos, që nuk ka humbur asnjë ndeshje deri tani. Të kuptohemi, nuk është një projekt thjesht futbolli, me akademi e filozofi të tillë si Ajaksi në Holandë, apo siç bën Porto në Champions. Famalikao mbështetet nga milionat e miliarderit izraelit Idan Ofer, një manjat anijesh.

Po ashtu, prapa “perdes” tek Famalikao është superagjenti portugez, Zhorge Mendez, njeriu që menaxhon kartonin e Kristiano Ronaldos e shumë të tjerëve. Skuadra ka fituar 4 nga 5 ndeshjet e deritanishme dhe ka barazuar një, me golaverazhin 11-5, duke qenë 1 pikë mbi Benfikën e Porton. Ekipi i përket një qyteze pranë Bragës, dhe në stadium shkojnë 5 000 vetë. Një mrekulli edhe kaq sa ka ndodhur, pasi Famalikao këtë sezon u ngjit në elitë, duke dalë nënkampion në kategorinë e dytë. Të hënën vjen ndeshja më e vështirë deri tani, ndaj Sportingut të Lisbonës, dhe Famalikao shpreson të arrijë atë që kanë bërë Belenenses në 1945 dhe Boavista në 2001, pra të shpallet kampione e Portugalisë.

Sfidanti.al