Plot 18 ish-yje të kombëtares në Ndeshjen e Yjeve për të dëmtuarit nga tërmeti!

Do të jenë të shumtë në “Arenën Air Albania” mbrëmjen e 10 janarit. Plot 18 ish-lojtarë të kombëtares shqiptare, si dhe dy futbollistë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, marrin pjesë në Ndeshjen e Yjeve, që do të luhet për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti i 26 nëntorit, ndërsa do të vihen përballë disa ish-yjeve nga Italia, Turqia apo Greqia.

Nuk mungon ish-kapiteni Lorik Cana, qendërmbrojtësi që udhëhoqi ekipin në kualifikimin për në Euro 2016, dhe në fazën finale në Francë. Një tjetër ish-kapiten do të jetë ish-portieri Foto Strakosha. Bashkë me ta, emra të tillë si Edvin Murati, ish-lojtar i krahut, Besnik Hasi mesfushor, Igli Tare ish-qendërsulmues dhe sot drejtor sportiv tek Lacio, ish-portieri Arian Beqaj, ish-mesfushorët Klodian Duro dhe Ervi Bulku, sulmuesit e tjerë Altin Rraklli, Erion Bogdani dhe Alban Bushi.

Në ekipin që do të drejtohet si trajner nga Ilir Shulku, do të jenë ish-kapiteni i Hanoverit, Altin Lala, ish-sulmuesi Hamdi Salihi, e ish-mesfushori Redi Jupi, si dhe ish-mbrojtësit Adrian Aliaj, Nevil Dede, Armend Dallku apo Debatik Curri. Përveç ish-lojtarëve të kombëtares, në ekipin e Shqipërisë do të jenë edhe Artim Shaqiri dhe Nderim Nexhipi, futbollistë që kanë luajtur për Maqedoninë e Veriut, kur ajo quhej ende Maqedoni.

Lojtarët e Shqipërisë:

Foto Strakosha, Lorik Cana, Edvin Murati, Alban Bushi, Igli Tare, Altin Lala, Besnik Hasi, Altin Rraklli, Erjon Bogdani, Arjan Beqaj, Artim Shaqiri (Maqedoni e Veriut), Klodian Duro, Ervin Bulku, Armend Dallku, Nevil Dede, Debatik Curri, Hamdi Salihi, Redi Jupi, Nderim Nexhipi (Maqedoni e Veriut), Adrian Aliaj. Trajner: Ilir Shulku.

Sfidanti.al