Kallaku drejt Europës, golat spektakolarë i sigurojnë hapin e madh në karrierë!

Është padyshim një nga më të mirët në vend. Edhe pse vetëm 22 vjeç, Sherif Kallaku mund të quhet një protagonist i stabilizuar i Superligës shqiptare, ndërsa që nga sezoni i ardhshëm synon të luajë në Europë. Mesfushori ofensiv thotë se ka disa oferta, madje plot 6 të tilla, ndaj edhe është i sigurt se ka ardhur koha për të hedhur hapin e madh në karrierë. Djaloshi i lindur në Fushë-Krujë u ngjit deri në elitën e futbollit shqiptar duke luajtur për Ilirinë, Olimpikun, për ekipet e akademisë së Tiranës e Partizanit, por duke bërë emër tek Laçi, e më së shumti tek Teuta.

Me durrsakët, ai aktivizohet prej dy sezonesh, duke shënuar gjithsej 18 gola, madje edhe rrjeta të rëndësishme. Kallaku ka realizuar në Superligë, Kupën e Shqipërisë dhe Kupat e Europës, dhe shpesh golat e tij kanë qenë të realizuar me nivel të lartë teknik. Ai ka qenë pjesë e ekipit Shpresa të Shqipërisë, dhe shpreson që duke luajtur jashtë vendit të bëhet edhe anëtar i kombëtares së të rriturve që drejtohet nga trajneri Edi Reja.

Sfidanti.al