Interin nuk e lë rehat as Kondogbia: Nuk kthehem në kaos!

Nga Monako erdhi me statusin e yllit. Interi pagoi një shumë të rëndësishme për Zhefri Kondogbianë, por mesfushori shpejt doli nga planet e trajnerëve. Frank De Buri fillimisht dhe Pioli pas tij nuk e aktivizuan shumë francezin, i cili në fund të sezonit u dha hua tek Valencia. Papritur, futbollisti ndryshoi “pllakë” në La Liga ku u bë protagonist me skuadrën e trajnerit Marselino, me 3 gola, 1 asist, por sidomos me lojë të nivelit të lartë.

Për ironi, kjo është në kontrast me gjendjen e Interit, dhe pas sulmit që bëri ndaj zikaltërve ish-trajneri De Bur, vjen edhe vlerësimi i hidhur i Kondogbiasë. “Nuk dua të kthehem në atë kaos kur të përfundojë huazimi, – tha ai, – Interi nuk kishte vazhdimësi, për mendimin tim problemi kryesor i klubit është mungesa e ekuilibrit, dhe një lojtar sidomos kur është i ri, ka vështirësi”.

Tek Valencia, Kondogbia thotë se trajneri i ka dhënë besim, e ka aktivizuar dendur dhe ai ia ka shpërblyer. “Nëse do të ishte për mua, do të paguaja 25 milionë eurot për kartonin dhe nuk do të kthehesha tek Interi”, – flet qartë francezi.

Sfidanti.al