Plot 4 vjet në stol, Klopi e ktheu Liverpulin sërish të madh!

I vuri emrin “njeriu në telash të madh”, dhe kjo sepse zgjodhi të ishte trajner në “Anfild”. Stadumi legjendar dhe skuadra që luante në të kishin “ngrënë kokat” e shumë trajnerëve, që nuk kishin arritur të dilnin kampionë, dhe Jurgen Klopi e kishte shumë të qartë një gjë të tillë. Gjithsesi, vetëm një “i çmendur” si ai mund të pranonte një sfidë që dukej në kufijtë e së pamundurës.

Kanë kaluar 4 vjet dhe njeriu që e quajti veten edhe “Normali” (ndryshe nga Murinjo që u vetëquajt “Speciali”), e ka kthyer lavdinë. Të kuptohemi, nuk e ka fituar ende titullin kampion, ndërsa Championsi i fituar në maj nuk është më i rëndësishëm sesa ai i Rafa Benitezit në 2005, por gjithsesi, Liverpuli i Klopit është një mrekulli. Me 8 pikë epërsi në krye të Premier Ligës, shanset janë që të kuqtë ta fitojnë më në fund titullin, për herë të parë që nga viti 1990 kur në stol kishin legjendën Keni Dalglish.

Mrekullia e Liverpulit është se trajneri gjerman ka arritur të gjejë lojtarët dhe të krijojë filozofinë e tij, atë të futbollit agresiv, sulmues, vertikal, me zotërim sa më të shpejtë të topit, me veprime të rrufeshme dhe me përgatitje shumë të lartë fizike e atletike. Nuk qe e lehtë për të, pasi humbi disa finale, si ndaj Mançester Sitit, në Kupën e Ligës, Seviljes në Ligën e Europës, Realit në Champions apo Mançester Sitit në gusht në Superkupën e Anglisë. Gjithsesi, çdo vit ai i arriti finalet, dhe më në fund nisën të vijnë edhe trofetë.

Sfidanti.al