Klop është “Zotëria 200 golësh”, vetëm Guardiola ia kalon!

Mohamed Salah shënoi golin e tij të 32-të në sezon, aq sa ka shënuar gjithe skuadra e Njukasëllit, por pas ndeshjes në “Anfild” më shumë ra në sy trajneri i të kuqve, Jurgen Klop. Gjermani reagoi si i çmendur në vijën anësore, kur rezultati ishte 2-0, pasi sipas tij nuk u dha një faull në hyrje të zonës (apo penallti) ndaj Salahut.

Një reagim i tepruar, siç ndodh edhe herë të tjera (Murinjo e ka quajtur “adoleshent”), por Klop u kujtua fort pas përballjes me Njukasëllin, për një arsye tjetër. Liverpuli, nën drejtimin e tij, ka arritur tani në kuotën e 200 golave në çdo kompeticion. Për të kuptuar madhështinë e gjermanit, mjafton të shtohet se nga të gjitha skuadrat e Premier Ligës, vetëm Mançester Siti ka shënuar më shumë gola, në këtë periudhë, 214.

Gjithsesi, Siti është Siti, ka shpenzuar shumë më tepër se Liverpuli dhe ka shumë më tepër yje në përbërje. Po të shikosh formacionin titullar të “redsave” të shtunën, lexon emra të tillë si portieri Karius, Trent Aleksandër-Arnold, Dejan Lovren apo Endrju Robertson, të cilët padyshim nuk janë yje të mëdhenj.

Sfidanti.al