Jan Rashi për Salahun: Unë shënoja gola, por dhe fitoja trofe

Ishte sezoni 1983-1984 dhe një lojtar i Liverpulit vendosi rekordin e golave në një sezon të vetëm. Ky ishte sulmuesi nga Uellsi, Jan Rash, që gjeti 47 herë rrugën e rrjetës, duke u bërë përfundimisht një legjendë e klubit. Uellsiani me mustaqe ka mbetur i paarritshëm edhe sot e kësaj dite, veçse një tjetër liverpulas po i afrohet.

Mohamed Salah ka realizuar deri tani 36 gola dhe do të ketë në dispozicion edhe shumë ndeshje për ta arritur dhe për ta kaluar rekordin. Gjithsesi, Rash, gjykon se egjiptiani duhet të bëjë edhe diçka tjetër përveçse të realizojë rrjeta.

“Diferenca mes nesh ndoshta është tek fakti se kur unë shënova 47 gola, ne fituam tre trofe, – u shpreh ai, – pikërisht këtë gjë duhet të nisë të bëjë edhe Liverpuli i sotëm”. Të kuqtë e drejtuar nga trajneri Xho Fagan u shpallën kampionë të Anglisë, fituan edhe Kupën e Anglisë, dhe përfundimisht morën edhe Kupën e Kampionëve (sot Championsi), me finalen e paharrueshme në stadiumin “Olimpiko” të Romës, ndaj skuadrës vendase me të njëjtin emër.

Portieri i famshëm, Brus Grobelar, nuk mund të shlyhet nga kujtesa kur përdridhte këmbët, ndërsa dy nga yjet italianë, Bruno Konti e Françesko Graciani humbën penalltitë. “Është madhështore të fitosh trofe individual, por unë u gëzova më shumë për trofetë sesa për golat”, – vazhdoi Rash. Liverpuli i këtij viti është i treti në Premier Ligë, i eleminuar nga Kupa e Anglisë dhe nga Kupa e Ligës, por në çerekfinale të Championsit.

“Natyrisht, do të doja që rekordi im të vazhdonte gjithnjë, por unë jam gjithnjë i lidhur me Liverpulin dhe nuk do të shqetësohesha nëse Salah e thyen atë, pasi kjo do të thotë se Liverpuli ecën siç duhet”, – përfundoi Jan Rash që ishte 22 vjeç kur vendosi rekordin, ndërsa Salah është 25.

Sfidanti.al