Çfarë “hasmërie” 14-vjeçare, historia e Roi Kinit me Fergusonin

“Heronjtë nuk bëjnë shokë të lumtur”, është shprehja e njohur në botë. Të tillë ishin dhe mbeten Sër Aleks Ferguson dhe Roi Kin, i pari trajneri legjendar i Mançester Junajtidit, dhe i dyti kapiteni i tij i madh. Gjithsesi, edhe pse fituan së bashku aq shumë trofe, këta dy burra kanë 14 vjet që nuk i flasin njëri-tjetrit. Irlandezi Kin nuk ia fal skocezit Ferguson atë që e quan trajtim të keq, të padrejtë, në fundin e karrierës.

“Isha 34 vjeç dhe kisha nevojë për mbështetjen e trajnerit, – shprehet ai, – por, sjellja e tij ishte e keqe. Më largoi ftohtë, rëndë, pa më respektuar. Kjo gjë ka ndodhur edhe me dy kapitenë të tjerë të shquar para meje, Brajan Robsonin dhe Stiv Brusin. Mos u gënjeni nga fjalët se Fergusoni dinte të sillej mirë me lojtarët”.

Vetë Ferguson nuk është kthyer në këtë temë, ndërsa në atë kohë u shpreh se largimi i Kinit u bë për të mirën e skuadrës. Vetë skocezi e ka treguar qartë kokëfortësinë e tij, kur refuzoi të jepte intervista për BBC-në për 7 vjet me radhë, pasi kjo realizoi një dokumentar ku sipas trajnerit, sulmohej djali i tij. Roi Kin, ndërkaq, thekson se “vetëm nëse ai më kërkon falje, unë do t’i flas apo t’i jap dorën, por nuk është se më intereson shumë kjo gjë”.

Sfidanti.al