Një copë letër që e ktheu lojën në favor të Holandës!

Virxhil van Dajku u habit, kur atij i bën të ditur nga stoli i trajnerit që ai të qëndrojë në sulm dhe të mos kthehet në mbrojtje gjatë 10 minutave të fundit të ndeshjes së fundit të Ligës së Kombeve mes Gjermanisë dhe Holandës (2-2). Në këto 10 minuta, trajneri holandez, Ronald Koman, bëri një përzierje të tillë lojtarësh, pra u ndërroi atyre vendet, saqë i hutoi gjermanët, duke arritur që ta barazonte ndeshjen dhe ta kualifikonte Holandën në turneun “Final 4” të kësaj lige.

Në fakt, “meritë” për këtë nuk ka Komani, por një nga ndihmësit e tij që në një copë letër i bëri atij një skemë, sipas së cilës ekipi holandez duhet të luante në fund ndeshjes. Komani, mbas ndeshjes, shpjegoi sesi kjo copë letër i solli barazimin e nevojshëm ekipit të tij:

“Dvajt Lodeveges (ndihmës i Komanit) më dha një copë letër, por unë e mora dhe e futa në xhep. Unë me Dvajtin dhe Kis van Vonderenin (ndihmësi tjetër) kishim parashikuar shumë skenare për këtë ndeshje dhe e dija se, kur rezultari u bë 2-0 në favor të gjermanëve, unë duhet të bëja diçka të rrezikshme në pjesën e dytë. I hodha një sy letrës, por thashë: Jo tani, pasi kishte rrezik që rezultati të shkonte 4-0 ose 5-0. Por, kur rezultati u bë 2-1, atëherë e nxora copën e letrës nga xhepi dhe i vendosa lojtarët sipas skemës së vizatuar në atë letër dhe tani ju e dini vetë se çfarë ndodhi”.
Sipas kësaj skeme, Frenki de Jong u vendos si futbollisti i fundit në mesfushë, kurse në sulm u vendosën Van Dajku e Luk de Jongu dhe mbas tyre futbollistët sulmues Promes, Depak dhe Keni Tete. Në këto kushte, mbrojtësi Virxhil Van Dajk e shënoi golin sikur të ishte një golashënues i regjur. Gjermanët, zakonisht, nuk pësojnë gol në kohën shtesë që jep gjyqtari, por ata u befasuan dhe u hutuan nga ky formacion taktik i çuditshëm holandez.
Sfidanti.al