Gjimshiti, a është kjo hera e mbarë për të shkuar tek Milani?

Niveli i tij padyshim që nuk mund të mos binte në sy. Nuk është hera e parë që Berat Gjimshiti është në vëmendjen e Milanit, veçse fillimi i vitit duket se ka bërë që të mendohet sërish për të. Kryesuesit e Serisë A duan një qendërmbrojtës dhe emri që po përflitet tani është pikërisht ai i lojtarit të kombëtares së Shqipërisë.

Fillimisht, drejtuesi milanist, Paolo Maldini, kërkoi mbrojtësin e Strasburgut, Mohamed Simakan, një futbollist vërtet i fortë, por dëmtimi i tij e prishi punën. Mediat franceze raportojnë se Simakan do të jetë 2 muaj jashtë fushave të lojës, pra ai nuk mund të jetë ndihmë e menjëhershme për një ekip që synon titullin në Serinë A.

Alternativa e Simakanit është pikërisht Gjimshiti për të cilin klubi lombard mësohet se është gati të japë 15 milionë euro, aq sa do të jepte për francezin. Atalanta, klubi i shqiptarit, mund të kërkojë më shumë ndërsa vlerësimi nga faqja e specializuar “transfermarkt” arrin në 18 milionë euro.

Gjimshiti ka qenë titullar i padiskutueshëm i Atalantës gjatë sezoneve të fundit, një nga protagonistët kryesorë në sukseset e bergamaskëve në Serinë A dhe në Champions, ku vjet arritën në çerekfinale dhe këtë sezon janë në turin e dytë. Në moshën 27-vjeçare ai ka ende mjaft vite karrierë përpara vetes, ndërsa prej kohësh është kthyer në një lider edhe në mbrojtjen e kombëtares shqiptare, duke shkëlqyer sidomos në ndeshjet e edicionit të fundit të Ligës së Kombeve.

Sfidanti.al