Bayerni i Mynihut ka festuar një tjetër sezon të suksesshëm, duke siguruar titullin në Bundesligë dhe duke i dhënë sulmuesit Harry Kane trofeun e tretë në karrierë, në moshën 32-vjeçare.
Fitorja 4-2 ndaj VfB Stuttgart vulosi matematikisht dominimin e bavarezëve, ndërsa Kane ishte protagonist absolut me një sezon të jashtëzakonshëm, duke arritur në 51 gola në të gjitha kompeticionet. Sulmuesi anglez, i cili për shumë vite kishte mbetur pa trofe në karrierën e tij, duket se ka gjetur “hakmarrjen sportive” në Gjermani. Vetëm në kampionat ai ka shënuar 32 gola, duke lënë shumë pas rivalët në garën për “Këpucën e Artë” të Bundesligës.
Në deklaratat pas ndeshjes, Kane u shpreh i emocionuar për suksesin: “Është një shpërblim i bukur për gjithë punën e madhe dhe përkushtimin, si timin ashtu edhe të skuadrës dhe stafit. Te Bayerni pritet gjithmonë që të fitosh, por duhet ta bësh punën çdo ditë në stërvitje dhe në ndeshje.”
Ai shtoi se ky sukses duhet shijuar, pavarësisht sfidave që ende e presin skuadrën: “Kemi ende për të luajtur në këtë sezon, veçanërisht në gjysmëfinalet e UEFA Champions League, por nuk duhet nënvlerësuar ajo që kemi arritur deri tani.”

