Holanda vazhdon “zinë” për Krujfin, rrezikon edhe Botërorin!

Vetëm Bjellorusia dhe Luksemburgu janë prapa saj, ndërsa Botërori duket diçka tashmë e paarritshme. Flasim për Holandën, skuadrën nënkampione të botës në 2010 dhe të tretën në botë në 2014. Pasi nuk shkoi dot në kampionatin europian, ekipi “tulipan” rrezikon seriozisht të bëjë pushim në Kupën e Botës në Rusi, pas disfatës së rëndë 0-2 në Sofie ndaj Bullgarisë. Spas Delev ndezi flakë stadiumin e kryeqytetit me golat e tij në pjesën e parë, ndërsa Holanda po i afrohet figurës që bëri Italia në Euro 1984, duke dalë e parafundit në grupin eleminator, ku iu mor një barazim edhe nga Qipro.

Mesa duket “zija” për shuarjen e legjendës Johan Krujf vazhdon në Vendet e Ulëta, që po kthehen në krizën e viteve 80-të kur nuk shkuan dot në Botërorët 1982 e 1986 dhe në Europianin 1984. Po ashtu edhe në Botërorin 2002, Holanda dështoi. Trajneri Dani Blind ka për fat të keq një skuadër jo me emra të mëdhenj, ku të vetmit të shquar janë veteranët Roben dhe Snejder. Holanda ka vendin e katërt në grupin e saj, me 7 pikë, ndaj 13 të Francës, 10 të Suedisë dhe 9 të Bullgarisë.

Sfidanti.al