FSHF publikon kalendarin sfilitës

5 ndeshje në 1 muaj vetëm në kampionat. Skuadrat e Superiores duhet të bëhen gati për të përballuar kalendarin dhe ndeshjet e ngjeshura të caktuara nga FSHF. Kështu, Komisioni i Ligave dhe Garave është mbledhur dhe ka përcaktuar kalendarin e ndeshjeve të kampionatit “Abissnet Superiore”, nga java e 13-të e deri në javën e 18-të, si edhe kalendarin e ndeshjeve të  “Kategorisë së Parë” nga java e 12-të e deri në javën e 16-të. Ndeshjet e javës së 13-të të kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhen të ndara në dy ditë, konkretisht në datat 23 dhe 24 nëntor, duke nisur me sfidën Egnatia – Partizani, që u ndërpre të shtunën e 11 nëntorit për shkak të ndarjes nga jeta të futbollistit të Egnatia-s, Raphael Dwamena.  Ndeshja që u ndërpre në minutën e 24-t, do të vazhdojë pikërisht aty ku u la dhe kjo javë e 13-të do të ulë siparin me dy ndeshjet Vllaznia – Laçi dhe Skënderbeu – Teuta që do të luhen në të njëjtin orar, 17:00 më 24 nëntor.

Ndërkaq, ndeshjet e javës së 14-të do të luhen të ndara në dy ditë në datat 27 dhe 28 nëntor, duke nisur me sfidën Erzeni – Tirana, më 27 nëntor në ora 13:30 dhe duke ulur siparin me ndeshjen Teuta – Vllaznia më 28 nëntor në ora 16:00. Ndeshjet e javës së 15-të do të luhen të ndara po në dy ditë, në datat 2 dhe 3 dhjetor. Takimi hapës i kësaj jave do të jetë ai mes Egnatia – Vllaznia, më 2 dhjetor në ora 13:30 ndërsa ndeshja mbyllëse e javës së 15-të do të luhet mes Tirana – Partizani, më 3 dhjetor në ora 19:00. Java e 16-të do të luhet në datat 10 dhe 11 dhjetor, duke nisur me sfidat Laçi – Tirana dhe Erzeni – Kukësi që do të luhen të dyja në orën 13:30. Ndërsa sfidat, Teuta – Egnatia dhe Partizani – Skënderbeu do të mbyllin javën e 16-të, me të dyja takimet që do të luhen në orën 17:00.

Ndeshjet e javës së 17-të do të luhen të ndara në dy ditë, në data 16 dhe 17 dhjetor. Takimi hapës i kësaj jave do të jetë ai mes Kukësit dhe Partizanit, më 16 dhjetor në ora 13:30 ndërsa ndeshja që do të mbyllë javën e 17-të do të jetë Skënderbeu – Laçi, më datë 17 dhjetor në orën 17:00. Faza e dytë e kampionatit “Abissnet Superiore” do të ulë siparin me javën e 18-të që do të luhet e ndarë në tre ditë, 22, 23 dhe 24 dhjetor. Takimet, Teuta – Dinamo dhe Vllaznia – Skënderbeu do të hapin javën e 18-të, me të dyja sfidat që do të luhen në orën 17:00. Takimi që do të mbyllë javën e 18-të do të jetë ai mes Partizanit dhe Erzenit që do të zhvillohet më 24 dhjetor në orën 17:00. Gjithashtu, Komisioni i Ligave dhe Garave ka përcaktuar edhe ditën dhe orën se kur do të zhvillohet ndeshja e prapambetur mes Partizanit dhe Teutës. Takimi do të luhet më datë 7 dhjetor në orën 17:00.

 

sfidanti.al