Vrasja e Alex Prettit, NBA, lojtarët mbështesin të drejtën e protestës

Shoqata e Lojtarëve të NBA-së (NBAPA) ka reaguar ashpër pas vrasjes së qytetarit të Mineapolisit, Alex Pretti, i cili humbi jetën nga të shtënat e një agjenti federal të emigracionit gjatë një operacioni policor. Në një komunikatë zyrtare, NBAPA theksoi se lojtarët nuk mund të qëndrojnë më në heshtje dhe se është momenti të mbrohet hapur e drejta e lirisë së shprehjes.

Reagimi i shoqatës erdhi pasi Tyrese Haliburton, lider i Indiana Pacers dhe një nga ‘yjet’ e ligës, publikoi në rrjetin X një mesazh të drejtpërdrejtë: “Alex Pretti u vra”. Ky postim ndezi debat të gjerë dhe nxiti reagimin institucional të lojtarëve të NBA-së. “Pas lajmit për një tjetër të shtënë vdekjeprurëse në Mineapolis, një qytet që ka qenë në ballë të luftës kundër padrejtësive, lojtarët e NBA-së nuk mund të mbeten më në heshtje. Tani më shumë se kurrë duhet të mbrojmë lirinë e shprehjes dhe të solidarizohemi me qytetarët e Minesotës, të cilët po protestojnë dhe po rrezikojnë jetën për drejtësi”, thuhet në deklaratë. NBAPA thekson se komuniteti i lojtarëve, ashtu si vetë Shtetet e Bashkuara, është i ndërtuar mbi diversitetin dhe kontributin e qytetarëve nga e gjithë bota, duke refuzuar çdo përpjekje që ndarjet të cenojnë liritë civile. Shoqata shprehu gjithashtu ngushëllimet më të thella për familjet e Alex Prettit dhe Renée Good, kjo e fundit e vrarë në një incident të ngjashëm më 7 janar.

Sipas pamjeve të shumta të publikuara, Pretti, infermier 37-vjeçar, u qëllua ndërsa ndodhej në tokë, pasi ishte përpjekur të mbronte dy gra që protestonin kundër operacioneve të emigracionit. Autoritetet federale kanë pretenduar se ai tentoi të sulmonte agjentët, por pamjet nuk e mbështesin këtë version. Ngjarja ka rikthyer në qendër të vëmendjes tensionet e forta që kanë shpërthyer në Mineapolis pas bastisjeve masive të urdhëruara nga administrata Trump në fillim të janarit.