Vrapuesit në qiell të hapur, nën presion në kohën e koronavirusit!

Ata ushtrohen në qytete dhe në parqe, dhe ky aktivitet fizik është pjesë e jetës së tyre, padyshim diçka e shëndetshme. Flasim për vrapuesit amatorë apo edhe profesionistë, që dalin në rrugët e qendrave të banuara, dhe nëpër shtigjet e parqeve natyrorë pranë qyteteve, dhe që po ndjejnë presionin e opinionit publik, të tmerruar nga koronavirusi. Në rrjetet sociale ka sharje për ta, duke i ftuar të mbyllen në shtëpi, ashtu si qytetarët e tjerë, duke i quajtur “fanatikë”, “të rrezikshëm” e duke i tallur.

Në të vërtetë, specialistët në të gjithë botën thonë se vrapimi në qiell të hapur është pa rrezik, nëse është individual, dhe nëse mbahet distanca të paktën 1 metër nga të tjerët. Mund të ketë “shtetrrethim”, mund të mbyllen edhe parqet, por një person që vrapon më vete, nuk është e njëjta gjë me një grup njerëzish që dalin për shëtitje në park, apo që duan të luajnë futboll e basketboll. Pavarësisht, presionit, vrapuesit po vazhdojnë sportin e tyre, madje edhe në Tiranë.

Sfidanti.al