“Dua të vrapoj me një mendje të qetë” – fjalët e maratonistit kenian që gjithmonë bie në sy për buzëqeshjen e tij. Nuk është një gjest i rastësishëm, por sekreti i një filozofie që e ka bërë kampionin e dyfishtë olimpik maratonistin më të madh në histori.
Eliud Kipchoge praktikon praninë mendore sikur të ishte një stërvitje e përditshme. “Nëse nuk e kontrollon mendjen tënde, ajo do të të kontrollojë ty”, thotë ai. Në jetën e përditshme lexon libra mbi ‘mindfulness’, përqendrohet tek “këtu dhe tani” dhe e shndërron çdo hap në një formë meditimi. Për të, liria lind nga disiplina: “Vetëm të disiplinuarit janë të lirë. Nëse je i padisiplinuar, bëhesh skllav i humoreve dhe pasioneve të tua.”
Hapi i saj i çrregullt, por i paharrueshëm, ka mbetur në kujtesën e çdo dashamirësi të atletikës. Përtej rekordeve dhe 7 medaljeve të arta botërore, Paula Radcliffe, maratonistja dhe atletja e distancave të mesme britanike, e ka gjetur në vrap një formë ekuilibri mendor. Pas momenteve të errëta në karrierë, ajo ka treguar: “Ndërsa vrapoja, e lija mendjen time të çlodhej. Fillova sërish të ndihesha e lumtur.” ‘Mindfulness’-i i saj është frymëmarrja e vetëdijshme: menaxhimi i dhimbjes, shndërrimi i lodhjes në energji dhe rikthimi i mendjes në trup kur vrapi bëhet i vështirë.
Mo Farah i ndërtoi 4 medaljet e tij olimpike mbi një rutinë të hekurt: qëndrime në Kenia, stërvitje në lartësi, qetësi. “Edhe për vrapuesit elitarë vjen një moment kur gjithçka bëhet mendore.” Për maratonistin britanik, ‘mindfulness’ është përsëritja e disiplinuar: vrapo, ha, fli, rifillo. Një cikël që e shndërron monotoninë e stërvitjes në forcë mendore. Besimi i tij lind nga brishtësia: “Ka ditë kur zgjohesh dhe mendon: nuk ia dal dot. Por duhet ta bësh. Kështu fitohen garat.”
Tri ushtrime të frymëzuara nga kampionët:
- Buzëqesh gjatë vrapimit (Kipchoge) – relakson mendjen dhe trupin.
- Frymo me vetëdije (Radcliffe) – përdor frymëmarrjen për të përballuar momentet e vështira.
- Gjej ritualin tënd (Farah) – disiplina ndërton forcën mendore.
sfidanti.al