Verstappen: Mbyllëm një sezon perfekt

Me Çmimin e Madh të Abu Dhabit në pistën e Yas Marina, u mbyll edhe botërori i vitit 2023 në Formula 1. Kampioni i shpallur prej disa javësh, Max Verstappen dominoi edhe në garën e fundit të sezonit duke triumfuar në Lindjen e Mesme dhe duke koleksionuar triumfin e 19 sezonal nga 22 gara në total. Një dominim total i holandezit dhe Red Bullit që mbyllin kështu një tjetër vit mjaft të suksesshëm. Pas garës Max Verstappen deklaroi se do të jetë e vështirë që të përsëritet një edicion si ky që u mbyll, duke e cilësuar të pabesueshëm për atë çka u regjistrua gjatë vitit 2023.

“Një sezon i jashtëzakonshëm. Jam shumë krenar që fitova edhe në garën e fundit. Dua të falënderoj Red Bull-in, pasi ka qenë një vit i jashtëzakonshëm. Do të jetë e vështirë të bëjmë diçka të ngjashme përsëri, por ne padyshim që e kemi shijuar këtë vit. Ne po punojmë shumë që vitin e ardhshëm të kemi sërish një makinë shumë konkurruese. Sigurisht që të gjitha skuadrat e tjera duan të përpiqen të na mposhtin atje. Ne jemi gati për betejë, por ndërkohë do të shijojmë pak edhe këtë vit”, tha Verstappen.

sfidanti.al