Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte të dielën i pranishëm në finalen e US Open mes Carlos Alcaraz dhe Jannik Sinner në stadiumin Arthur Ashe në New York. Por prania e tij solli një vendim të pazakontë nga organizatorët e turneut.
Sipas medieve ndërkombëtare, Shoqata e Tenisit të Shteteve të Bashkuara (USTA), që organizon turneun, dërgoi një njoftim zyrtar për transmetuesit kryesorë, mes tyre Sky Sports dhe ESPN, duke u kërkuar që të shmangin shfaqjen e çdo “reagimi” apo “shqetësimi” nga publiku lidhur me praninë e presidentit amerikan.
Kjo masë vjen 10 vjet pas vizitës së fundit të Trump në finalen e US Open, në vitin 2015, kur ai u përball me reagime negative nga spektatorët, vetëm një vit para se të zgjidhej për herë të parë president i SHBA-së.
Siguri e shtuar dhe nisje e vonuar
Pjesëmarrja e Trump-it solli edhe masa të rrepta sigurie, duke detyruar kontroll të imtësishëm të tifozëve dhe duke shkaktuar vonesa prej 30 minutash në nisjen e finales. Radhë të gjata u krijuan jashtë stadiumit për shkak të kontrolleve shtesë.
Trump, i pranishëm shpesh në sport në 2025
Ky vit e ka parë presidentin amerikan një figurë të rregullt në ngjarjet madhore sportive. Trump ishte në Super Bowl, ndërsa u shfaq edhe në finalen e Botërorit të Klubeve, ku festoi me lojtarët e Chelsea-t. Këtë herë, ai u ftua nga sponsori Rolex për të ndjekur nga afër duelin Alcaraz–Sinner.
Reagimi i Alcaraz
Në prag të finales, Carlos Alcaraz e komentoi praninë e presidentit me tone pozitive:
“Mendoj se është privilegj për turnetë të kenë praninë e presidentëve, për të mbështetur sportin dhe tenisin. Sigurisht, do të mundohem të mos mendoj për këtë në fushë dhe të jap më të mirën time.”
sfidanti.al