Uestbruk është një “99-ësh” dhe Oklahoma vazhdon të fitojë!

Në basketbollin amerikan quhet edhe “Zotëria tripëll dabëll”. Rasëll Uestbruk është i veçantë në llojin e tij, dhe këtë veçanti e tregoi në dy ndeshjet e fundit, duke realizuar sërish tripëll dabëlla. Formula e lojtarit të Oklahomës ishte që të ulte numrin e pikëve të shënuara, dhe të rriste asistet dhe topat në tabelë. Ndaj Sakramentos ai realizoi 17 pikë (pak për standardin e tij), kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 11 asiste.

Ky ishte tripëll dabëlli i 20-të i sezonit, padyshim më shumë se kushdo tjetër, por edhe i 99-ti në karrierë. Uestbruk është tani një “99-ësh” që edhe po ndihmon më shumë ekipin për të fituar. Oklahoma ia doli ndaj Sakramentos me shifrat 106-101, natyrisht falë edhe 21 pikëve që shënoi edhe Pol Xhorxhi, por edhe Karmelo Entoni, duke u ngjitur në vendin e 4-ët në Konferencën Perëndimore, një pozicion vërtet shumë i mirë.

Uestbruk shpreson që të arrijë në 100 tripëll dabëlla që në ndeshjen e radhës, ndërsa nuk do të kalojë shumë kohë derisa të mbërrijë vendin e tretë në renditjen e të gjitha kohëve, Xhejzën Kidin, me 107 të tillë. Sa për Mexhik Xhonsonin (138 tripëll dabëlla) e Oskar Robertsonin (181), ata janë ende larg.

Sfidanti.al