Shqipëria në garë për Lojërat Ballkanike

Pas Lojërave Mesdhetare, tashmë synohet dhe krijimi i Lojërave Ballkanike. Shqipëria, Kosova, Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi janë gati të bëhen bashkë dhe të zhvillojnë Lojërat Ballkanike me afro 11 disiplina sportive. I pari që firmosi ishte Presidenti i Komitetit Olimpik të Maqedonisë së Veriut, Daniel Dimevski, që së bashku me kreun e Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli, nënshkruan këtë marrëveshje. “Ambiciet tona janë të mëdha, për të krijuar kushte më të mira për sportistët tanë, për të ardhmen e tyre. Me këtë bashkëpunim ne mund të provojmë dhe një herë se ne mund të bëjmë gjëra të mëdha.

Kjo ide, për të organizuar një ligë të përbashkët mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, meriton mbështetjen apo vëmendjen tonë maksimale. Ne jemi të lumtur që firmosim këtë marrëveshje, pasi magjia e sportit është që të bashkojë të gjithë njerëzit”, tha Fidel Ylli. Marrëveshja pritet të firmoset dhe nga vendet e tjera, të cilat në parim kanë rënë dakord, ndërsa në dhjetor do të mbahet dhe mbledhja mes presidentëve të çdo komiteti nga secili vend, ndërsa do të vendosen dhe detajet finale të kësaj marrëveshjeje.

sfidanti.al