Ricciardo i jep fund karrierës

Daniel Ricciardo ka vendosur të mbyllë përfundimisht kapitullin e tij si pilot në Formula 1. Piloti australian 36-vjeçar njoftoi se “ditët e garave kanë marrë fund”, duke kaluar në një rol të ri si ambasador global i Ford Racing, markë që do të rikthehet në F1 në vitin 2026 falë bashkëpunimit teknik me Red Bull Racing.

“Edhe pse nuk do të garoj më, dashuria ime për botën e motorëve nuk do të shuhet kurrë. Jam krenar që do të bashkëpunoj me Ford-in dhe do të fokusohem te marka Raptor, e cila është bërë pjesë e stilit të jetesës për shumë klientë”, – shkroi Ricciardo në mesazhin e tij lamtumirës. Ai shtoi se vendimi për t’u tërhequr u mor pas shumë reflektimesh, duke kërkuar mënyrën më autentike për të mbetur i lidhur me sportin që e bëri të lumtur dhe i dhuroi kujtime të paharrueshme.

Ricciardo ishte një prej figurave më karizmatike të Formulës 1, i njohur për buzëqeshjen dhe stilin e tij të guximshëm në pistë. Gjatë karrierës së tij ai mori pjesë në 258 gara, duke regjistruar 8 fitore, 32 podiume dhe 3 pole position. Ai garoi me skuadra si HRT, Toro Rosso, Red Bull, Renault, McLaren, AlphaTauri dhe Racing Bulls.

Fitorja e fundit e tij mbetet ajo e paharrueshme në Monza 2021, kur me McLaren triumfoi përpara shokut të skuadrës Lando Norris, duke shënuar një dyshe historike për ekipin britanik. Ishte triumfi i vetëm jashtë Red Bull-it, por që vulosi emrin e tij si një pilot i madh.

Me tërheqjen e tij, Formula 1 humb një nga personazhet më të dashur të dekadës së fundit, ndërsa Ricciardo nis një kapitull të ri si ambasador i një prej markave ikonike të botës së automobilizmit.

sfidanti.al