Nurmagomedovi s’gjen fjalë tjetër për Mekgregorin, përveçse “k…”!

U bënë disa ditë që luftimi i madh i UFC-së u anulua sërish, dhe ngjarja e madhe nuk do të jetë në Las Vegas. Habib Nurmagomedovi u kthye në Rusi dhe deklaroi se nuk mund të lëvizte sërish për shkak të koronavirusit, ndërsa rivali i tij, Toni Ferguson priste që të ndesheshin. Në të vërtetë, kjo ishte hera e pestë që ky duel i Arteve të Përziera Marciale shtyhej, dhe sipas mediave 3 herë për shkak të problemeve të Fergusonit, e dy herë të Nurmagomedovit.

Në këtë sfidë ka ndërhyrë Konor Mekgregori, irlandezi i famshëm, i cili fillimisht fajësoi Habibin për dështimin e ndeshjes, duke e cilësuar si frikacak. Një ditë më parë, Mekgregori u përpoq të ndërhynte direkt në një intervistë që Nurmagomedovi po jepte në Instagram. Kësaj kërkese, luftëtari nga Dagestani, iu përgjigj kështu: “A e dini sesi mendoj unë? Ai duket si një prostitutë e vjetër që dëshiron vëmendje, por koha e tij ka kaluar”. Nurmagomedovi e mundi Mekgregorin në tetor 2018, duke mbrojtur titullin e tij botëror në peshat e lehta të UFC-së, ndërsa mes tyre dhe stafeve të tyre ka pasur edhe konflikte fizike.

Sfidanti.al