Një Tur “global” i Francës, Bernal shton në “hartë” Amerikën e Jugut!

Ishte dita e lamtumirës, dhe e së vërtetës. Turi i Francës pati kënaqësinë të përshkonte për herë të fundit këtë vit shtigjet alpine, një itinerar që do të përcaktonte edhe fituesin e 2019-ës. Nga qyteza e Albertvilit në lartësinë e Luginës së Torenës, 2 300 metra mbi nivelin e detit, u zhvillua drama përmbyllëse e garës më të madhe të çiklizmit në botë.

Kampionët pedaluan fort në këtë zonë historike blegtorie, industrie dhe turizmi që lidh Francën, Italinë dhe Zvicrën, një lloj mini Europe e bashkuar. Në këto rrugë që të kujtojnë Llogaranë apo Kërrabën, Egan Bernal mbrojti me sukses Fanelën e Verdhë, duke u bërë njeriu i tretë më i ri në të gjitha kohët që fiton Turin, si dhe i pari nga Amerika Latine që ia del.

Spektakli nuk ishte i plotë, pasi natyra i tha “ndal” njeriut, ashtu siç bëri edhe të premten në etapën e 19-të, sërish në Alpe. Nga 130 km të parashikuara, u përshkuan vetëm 59, por s’ke ç’bën, murit me kokë nuk i bihet. Triumfator i ditës doli italiani Vinçenco Nibali, kampion i Turit në 2015, që tregoi gjithë krenarinë e një çiklizmi me tradita të mëdha si ai i Italisë.

Bernal, po ashtu, e arriti objektivin e tij të madh, fitoren e Rrethit Çiklistik të Francës. Kolumbiani, më i riu si Fanelë e Verdhë pas Luftës së Dytë Botërore, kaloi cakun pranë shokut të tij të skuadrës, Xhereint Tomasit, fitues i vitit të kaluar.

Sfidanti.al