Një jetë në fushën bardhë e zi, njihuni me shahistin 104-vjeçar

Manuel Álvarez Escudero mësoi të luante shah nëntë dekada më parë dhe prej atëherë, dashuria e tij për këtë lojë vetëm është rritur. 104-vjeçari madrilen mendohet të jetë shahisti më i vjetër në botë. Çdo javë, në orën 10 të së shtunës, ai shkon në klubin e shahut ku e presin miqtë. Dëgjimi e ka lënë, por Don Manuel, siç e thërrasin miqtë, nuk ka humbur as kujtesën, as humorin. “Isha rreth 16 vjeç kur vëllai i madh më mësoi të luaja shah. Mendoja se ai ishte lojtar i mirë, por atëherë s’dija asgjë. Asnjëri nga ne s’ia kishte idenë ç’po bënte.” Pak vite më vonë, Álvarez kuptoi sa pak dinte për lojën pasi një koleg e mundi dhe i tha se kishte shumë për të mësuar. Pas disa ndeshjesh të humbura, nisi të përmirësohej.

Shahu i mundësoi t’i kushtohej dashurisë së tij për matematikën dhe zgjidhjen e problemeve. Edhe pse thotë se loja e ka ndihmuar të mbajë mendjen të shëndoshë, Álvarez thekson përfitimet sociale. “Ajo që më pëlqen më shumë janë miqësitë që më ka sjellë. Kam bërë miq shumë të mirë përmes shahut dhe ata janë ende miqtë e mi.” Ai mendon se faktorë ndihmës kanë qenë edhe moskonsumimi i duhanit apo alkoolit. Në klubin ku luan, ka 130 anëtarë nga Spanja, Siria, Libani, Bullgaria, Azerbajxhani, Brazili dhe Venezuela.

“Ai është shumë i rëndësishëm për ne, sidomos prej vlerave të tij”, thotë presidenti José Luis Uceda Aragoneses. “Kur ishte pak më i ri, ishte i pari që vinte dhe na jepte një dorë për të sistemuar. Tani s’mundet. Por ai vinte gjithmonë i pari, edhe kur ishte 100 vjeç dhe nxirrte të gjitha tavolinat. Tani ka një fjalë të mirë për këdo dhe është ai lloj njeriu që ti e do sepse e meriton.” Ndërsa përgatitej për lojën e radhës, Álvarez e kishte të vështirë të përfytyronte sesi do të kishte qenë jeta e tij nëse i vëllai s’do ta kishte prezantuar me shahun 88 vite më parë. “Shumë e mërzitshme. Më ka sjellë shumë miq dhe argëtim. Jeta ime do të kishte qenë plotësisht ndryshe pa shahun.” Loja i ka mësuar edhe diçka tjetër: “Ti duhet të mësosh sesi të humbasësh. Mund të mësosh shumë duke humbur”, pavarësisht se fitoren e shijon gjithmonë.

sfidanti.al