Një lajm që ka bërë jehonë në botën e atletikës: asnjë nga maratonistët më të mirë kenianë nuk do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror të Atletikës që do të zhvillohet në Tokio nga 13 deri më 21 shtator 2025. Lista e mungesave përfshin emra të mëdhenj si Eliud Kipchoge, Sebastian Sawe, Benson Kipruto, John Korir dhe Alexander Mutiso.
Eliud Kipchoge, 40 vjeç (41 në nëntor), dy herë kampion olimpik dhe ish-rekordmen bote me kohën 2h01:09, ka justifikuar mungesën e tij me fjalët: “Është koha t’u lëmë vend të rinjve”. Megjithatë, pas këtij vendimi duket se fshihen arsye ekonomike, pasi ai më 31 gusht do të garojë në Maratonën e Sidneit, e cila sapo është shpallur “Evento Major” nga Federata Botërore e Atletikës. Kjo do të jetë maratona e tij e 23-të, pas debutimit në shtator 2013 në Berlin, ku u rendit i dyti me 2h04:05. Në Sidnej, ai do të ketë përballë emra si etiopët Birhanu Legese (2h02:48) dhe Dawit Wolde (2h03:48), si dhe kampionen olimpike të Parisit, Sifan Hassan (2h13:44).
Arsyeja kryesore e mungesës së yjeve duket të jetë përfitimi financiar nga maratonat e mëdha të vjeshtës dhe fillimit të dimrit, si Berlini (21 shtator), Çikago (12 tetor), Frankfurti (26 tetor), Nju Jorku (2 nëntor) dhe Valencia (7 dhjetor). Përveç kësaj, Botërori nuk ka të njëjtin prestigj e traditë si Lojërat Olimpike, të cilat mbahen çdo katër vjet dhe kanë histori që nga viti 1896, kur greku legjendar Spyridon Louis fitoi maratonën e Athinës me 2h58:50.
sfidanti.al