Me këmbë në tokë thotë Hamilton, ndoshta për vitin tjetër

Menjëherë pas përfundimit të garës së Suzukës, Ljuis Hamilton shkoi dhe u ul pranë makinës së tij të dashur, ndërsa përqafoi më parë shokët e skuadrës. Mercedesi i dhuroi sërish një fitore të madhe, por anglezi deklaroi se i ka vënë detyrë vetes që të mbetet me këmbë në tokë. “Jam i bindur se e kam të lehtë që të mos bëhem euforik, – u shpreh ai, – ka ende 100 pikë në dispozicion, dhe unë e di se duhet të vazhdojmë kështu deri në flamurin e fundit”.

Një premtim, por që duket se bëhet për sezonin e ardhshëm. Në 4 garat e mbetura në Formula 1 ka 100 pikë në dispozicion, ndërsa epërsia e Hamiltonit ndaj Fetelit është plot 67 pikë. Me titullin e pestë në karrierë “në xhep”, anglezi me siguri po mendon që të mbërrijë rekordmenin dhe legjendën e këtij sporti, Mikael Shumaherin me 7 titujt e tij. “Kryesorja është që jam mirë me shëndet, – pohon 33-vjeçari, – me gjithë këto udhëtime që bëjmë, ka shumë rëndësi të ndihem i shëndetshëm”.

Sfidanti.al