Leclerc rinovon me Ferrarin, “kokëkuqja” nuk zbulon afatin

Charles Leclerc dhe Ferrari do të vijojnë bashkëpunimin përtej vitit 2024. Lajmi i rinovimit të kontratës së pilotit monegask është konfirmuar nga vetë skuderia “kokëkuqje”, ndërsa nuk është specifikuar viti kur do të mbarojë kontrata e Leclerc. Megjithatë, në media flitet se rinovimi është arritur deri në vitin 2026. Ndërkohë, pas këtij lajmi, vetë Leclerc u shfaq i entuziasmuar për rinovimin e kontratës dhe u shpreh se më e mira për të dhe italianët, ende nuk ka ardhur. “Jam shumë i lumtur që do të vazhdoj të vesh tutat e Ferrarit në sezonet e ardhshme. Të garoj për këtë skuderi është ëndrrëa ime prej moshës trevjeçare. Kjo skuadër është familja ime e dytë. Në pesë vitet e fundit kemi shkruar faqe të paharrueshme. Por, mendoj se më e mira ende nuk ka ardhur dhe mezi pres të nisim sezonin e ri. Objektivi është që makina të jetë konkurruese në çdo garë. Ëndrra ime mbetet ajo e të fituarit titullin me Ferrarin dhe t’iu dhuroj tifozëve diçka  për t’u gëzuar”, u shpreh Leclerc.

sfidanti.al